Falluxha, çlirohet edhe bastioni i fundit i ISIS-it

26/06/2016 00:00

Ushtria irakiane i ka shkulur Shtetit Islamik fortesën e tij të fundit në qytetin e Falluxhës. Kreu i forcave të Antiterrorit, të përfshira në këtë operacion, gjeneral-lejtnant Abdul-Wahad al-Saadi deklaroi se trupat e tij kanë hyrë në lagjen veriperëndimore “Golan”, e vetmja që kishte mbetur nën kontrollin e grupit të dhunshëm islamik.

Në fillim të muajit, kryeministri i Irakut Haider al-Abadi përshëndeti atë që e cilësoi si “momentin e çlirimit të qytetit”, ngritjen e flamurit kombëtar mbi ndërtesën e bashkisë.

Të paktën 1.800 militantë të ISIS-it llogaritet të jenë vrarë gjatë betejës për Falluxhën sipas Al-Saadit. Me dhjetëra mijëra vetë iu larguan luftimeve, e shumë prej tyre, përfshirë këtu të moshuar, gra e fëmijë, vazhdojnë të fushojnë jashtë në mesin e të nxehtit përvëlues.

Kreu i ekzekutivit, Abadi e urdhëroi në muajin maj nisjen e operacionit ushtarak për rimarrjen e Falluxhës, qyteti i parë irakian që iu dorëzua presionit të ISIS-it. Grupi xhihadist arriti përmes një fushate dhune të skajshme të pushtonte në 2014-n territore të tëra në Veri e në Perëndim të Irakut, si dhe në Lindje të Sirisë, ku do të deklaronte më pas të vetëshpallurin “kalifat islamik”.

Javët e fundit, megjithatë, militantët kanë humbur kontrollin e disa prej këtyre zonave, e sipas Abadit, tani beteja e radhës për forcat irakiane do të jetë marrja e qytetit të dytë më të madh të vendit, Mosulit.

Top Channel