Kerry viziton Brukselin dhe Londrën, pas daljes së Britanisë nga BE

26/06/2016 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të nxitojë të takohet me drejtuesit më të lartë britanikë në Londër dhe diplomatët e Bashkimit Europian në Bruksel gjatë së hënës, teksa bota përballet me pasojat e votës historike të Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.

Kryediplomati Kerry pritet të japë mesazhe mbështetjeje, mes të cilave edhe përgjigje apo sugjerime sesi të përballen me krizën që ka frikësuar ekonomistët botërorë dhe ka detyruar vende të ndryshme të Europës e përtej saj të mendojnë madje edhe shkatërrimin e mundshëm të unitetit kontinental.

Udhëtimi i tij ka nisur nga kjo e dielë në Romë, ku Kerry planifikon të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, sikurse edhe me zyrtarë qeveritarë italianë. Por, përballë një graviteti të madh të vendimit të 23 qershorit në Britani, që tronditi tregjet financiare nga SHBA-të e deri në Japoni, Kerry ka planifikuar një takim në kushte emergjente mes 4 kombesh ditën e hënë.

Pas takimit me Netanyahun këtë paradite, kryediplomati amerikan do të udhëtojë drejt Brukselit për të diskutuar me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, mbi situatën e Europës. Më pas ai do të shkojë drejt Londrës për t’u takuar me Sekretarin britanik, Philip Hammond, përpara se të rikthehet në Uashington nga pasditja e së hënës.

Me britanikët, Kerry pritet t’i bëjë jehonë përgjigjes së menjëhershme të kësaj jave nga Uashingtoni, që fokusohet te natyra e pandryshuar e “marrëdhënies spciale” mes SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Pavarësisht nga parashikimet e zymta mbi daljen e Britanisë nga BE-ja, nuk pritet apo nuk parashikohet aspak një kolaps i marrëdhënieve të ngushta kulturore dhe aleancës ushtarake mes Uashingtonit dhe Londrës, por: si do të ndryshojnë këto marrëdhënie, nëse divorci i Britanisë nga BE-ja do të shkaktonte dhimbje të konsiderueshme ekonomike edhe në Shtetet e Bashkuara?

Në Bruksel, Kerry pritet të theksojë mbështetjen e SHBA-ve për projektin europian, pavarësisht spekulimeve se vende të tjera anëtare mund të ndjekin shembullin e Britanisë. Administrata “Obama” e konsideron BE-në e fortë, si një faktor kyç stabiliteti në Europë dhe si një partner tejet të rëndësishëm në ofrimin e sigurisë në pikat e nxehta pranë saj, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, por edhe për vende më të largëta si Afganistani. Uashingtoni llogarit gjithashtu ndikimin e BE-së në forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, që prej aneksimit prej kësaj të fundit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë mund të bëjnë më shumë Kerry apo Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Britaninë apo Bashkimin Europian. Edhe negociatat për daljen e Britanisë priten të jenë të komplikuara, të zgjatura, teksa nuk ka garanci për një shkëputje të menjëhershme dhe të qetë. Amerikanët, ndoshta për herë të parë mund të kenë pak fjalë, ose aspak, për të thënë mbi këtë çështje.

Top Channel