Spanja, sërish në votime pas ngërçit politik 6-mujor

26/06/2016 00:00

Spanjollët u janë drejtuar sërish kutive të votimit këtë të dielë, në një ripërsëritje të paprecedentë të zgjedhjeve që synon t’i japë fund ngërçit politik prej 6 muajsh, pas zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar që e lanë vendin pa një qeveri.

Sondazhet e javëve të fundit parashikojnë në mënyrë unanime faktin që edhe këto zgjedhje do të dështojnë të sigurojnë vota të mjaftueshme për cilëndo parti që ta marrë e vetme pushtetin. Kjo gjë do ta fuste Spanjën në një tjetër periudhë negociatash të zgjatura politike, e me shumë mundësi edhe drejt zgjedhjeve të reja nëse sërish nuk do të ketë marrëveshje për koalicion.

Sondazhet janë të ndaluara gjatë javës së fundit të fushatës, por ai më i fundit tregon se Partia Popullore konservatore pritet të fitojë shumicën e votave, por sërish pa siguruar shumicën parlamentare që ka pasur gjatë viteve 2011-2015. Kreu i kësaj partie, Mariano Rajoy shpreson të rizgjidhet si kryeministër.

Sipas Kushtetutës spanjolle, një qeveri duhet të fitojë votëbesimin në Parlament me më shumë se 50 për qind të 350 deputetëve në total, pra 176 vota, përpara se të nisë detyrën e saj. E nëse kjo nuk arrihet, në votëbesimin e dytë që zhvillohet pas 48 orësh qeveria duhet të sigurojë 50 për qind të votave të hedhura në kuti, një zgjedhje kjo që u lejon partive edhe të abstenojnë në mënyrë që të lejojnë njërën prej tyre të marrë pushtetin në këmbim të lëshimeve të tjera.

Megjithatë, një raund i ri negociatash politike do të ishte i komplikuar edhe për shkak të mbështetjes që ka siguruar aleanca e ekstremit të majtë e quajtur “Unidos Podemos”, (Së bashku mundemi). Ky grup, i cili përfshin partinë radikale të majtë “Podemos” dhe Partinë Komuniste, pritet të dalë i dyti në zgjedhje. Kjo do të bënte që Partia Socialiste, e moderuar e qendrës së majtë, të zbriste në vendin e tretë, edhe pse tradicionalisht ka qenë kjo që ka alternuar pushtetin me Partinë Popullore, ndërsa në vendin e katërt pritet të dalë partia miqësore ndaj biznesit “Ciudadanos” apo “Qytetarët”.

Zgjedhjet në Spanjë mbahen vetëm 4 ditë pas referendumit të Britanisë së Madhe, që rezultoi me fitoren e kampit pro “Brexit”. Kutitë e votimit u hapën në orën 9 të mëngjesit dhe do të mbyllen më 8 të mbrëmjes, ndërsa priten të votojnë rreth 36,5 milionë votues. Rezultatet e para “exit poll” priten vetëm pak minuta pas mbylljes së kutive, ndërsa rezultati përfundimtar pritet të bëhet i ditur në orën 11 të mbrëmjes.

Top Channel