Vlora, 5 ditë pa ujë; mungon edhe energjia elektrike

25/06/2016 00:00

Prej pesë ditësh qyteti i Vlorës, zona e Radhimës dhe Orikumi janë pa ujë dhe pa energji elektrike. Shkak për këtë janë bërë ndërhyrjet dhe investimet që po kryhen për vënien në funksion të linjës 35 kilovolt.

“Kufizimet janë si rrjedhojë e investimeve që po kryhen në rrjet, për përmirësimin e furnizimit me energji të gjithë rajonit. Ky investim parashikon ndërrimin e të gjithë përcjellësave të linjës 35 kilovoltë, që janë të vendosur prej 40 vitesh. Në fund të javës që vjen përfundon investimi në linjën nga TEC-i tek Uji i Ftohtë, ndërsa pjesa tjetër, nga Uji i Ftohtë në Orikum, do të bëhet pas sezonit turistik”, deklaron drejtori i degës së OSHEE-së, Roland Saliu.

Zona e Vlorës dhe ajo e Radhimës çdo vit kanë pasur probleme të tilla, të cilat kanë ndikuar jo pak tek ata që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e verës. Por drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike jep edhe një përgjigje për kohën e nisjes së punimeve.

“Linja 35 kw nga TEC-i në Ujë të Ftohtë e deri në Orikum, në gjendjen aktuale nuk e garanton dot furnizimin me energji, prandaj duhej ndërhyrja para sezonit”, sqaron Saliu.

Top Channel