Balla: Më sulmoi Argita; deputeti i PS padit vajzën e Berishës

25/06/2016 00:00

Pas padive në gjykatë për shpifje, deputeti Taulant Balla dhe vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita me bashkëshortin Jamarbër Malltezi duket se janë përplasur edhe fizikisht.

Deputeti socialist i është drejtuar policisë për një sulm që ai pretendon se është kryer ndaj tij në aeroportin e Romës, gjatë kthimit për në Shqipëri.

“Isha duke kërkuar portën e daljes dhe në momentin që kaloj pranë një kafeneje, nga krahu i majtë më vjen një goditje me grusht nga një njeri me kapele, nderkohë që në krahë të djathtë shoh një grua me fustan të kuq që hodhi një hamburger drejt meje. Bëra një hap mbrapa se duart i kisha të zëna dhe aty njoha në fillim gruan, që ishte Argita Berisha. Ndërkohë që shquajta që personi me kapele mund të ishte burri i Argitës. Ata, pasi më qëlluan edhe më fyen”, ka treguar në polici Balla.

Deputeti thotë se ia ka referuar ngjarjen policisë italiane në aeroport si dhe policisë shqiptare sapo ka zbritur në Rinas.

E pyetur për këtë akuzë, Argita Malltezi ka pohuar se e gjitha është një gënjeshtër e paturpshme, as e para dhe as e fundit në radhën e trillimeve që Edi Rama vë në gojën e Taulant Ballës.

“Balla nuk meriton asnjë reagim, të çfarëdo forme, por mesa duket dizenjatori i fanellës së kombëtares ka marrë përsipër të dizenjojë dhe dëshminë e Ballës”, ka thënë zonja Malltezi.

Top Channel