Somali, autobombë ndaj hotelit në Mogadishu, viktima e të plagosur

25/06/2016 00:00

Një sulm i kryer nga grupi xhihadist Al Shabab në një hotel në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, u ka marrë jetën të paktën 5 personave.

Sulmi është realizuar me një autobombë që është hedhur në erë tek hyrja e hotelit “Naso-Hablod”, përpara se persona të armatosur të hynin brenda ndërtesës.

Ata hapën zjarr ndaj njerëzve të pranishëm dhe thuhet se morën edhe pengje. Militantët e Al Shabab kryejnë sulme të shpeshta në qytet, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.

Një zëdhënës i grupit deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se hoteli i sulmuar është i frekuentuar nga anëtarë të qeverisë. Hoteli, që ndodhet në jug të Mogadishut, përdoret edhe nga diplomatë e biznesmenë të huaj, por edhe turistë.

Më herët gjatë muajit, 10 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në një sulm të ngjashëm ndaj një hoteli tjetër të kryeqytetit somalez, i marrë përsipër nga Al Shabab.

Top Channel