Zjarri dhe uji kundër SHBA-ve

25/06/2016 00:00

Dy persona humbën jetën dhe mbi 100 ndërtesa janë djegur nga një zjarr masiv që ka shkrumbuar 3200 hektarë brenda një dite në Kaliforni.

Autoritete bënë me dije se tre zjarrfikës kanë mbetur të plagosur në përpjekje për të ndaluar flakët në qytezën Lake Isabella, ku me qindra ndërtesa të tjera janë në rrezik.

Policia amerikane evakuoi qindra njerëz nga rreth 1500 shtëpi që kërcënohen nga flakët, por autoritetet paralajmërojnë se numri i banesave në rrezik pritet që të rritet, pasi flakët vazhdojnë që të përparojnë.

Qindra të evakuuar janë strehuar në shkolla të shndërruara në qendra emergjence, ndërsa autoritetet kanë dyfishuar në 700 numrin e zjarrfikësve që po përballen me flakët në këtë zonë.

Zjarri në Lake Isabella është një prej disa vatrave të tilla që po djegin territore të mëdha në Kaliforni, ku thatësira 5-vjeçare, temperaturat e lartë dhe erërat e forta janë faktorë në favor të flakëve dhe vështirësojnë tej mase punën e zjarrfikësve.

Në krahun tjetër të SHBA, në Virxhian perëndimore, situata meteorologjike është plotësisht e ndryshme nga Kalifornia, por po aq dramatike. Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në përmbytjen masive që pasuan reshjet e dendura në të gjithë shtetin.

Gjendja e emergjencës është shpallur në 44 nga 55 kontetë e Virxhinias Perëndimore, ndërsa vazhdojnë operacione e kërkim shpëtimit.

Autoritetet në Virxhinian Perëndimore kanë angazhuar edhe gardën kombëtare në operacione, pasi forcat lokale e kanë të pamundur të përballojnë të vetme situatën.

Guvernatori i Virxhinias Perëndimore Earl Ray Tomblin sa se përmbytjet aktuale janë më të rëndat prej një shekulli në disa zona të këtij shteti amerikan.

Top Channel