Pentagoni heq kufizimet për personelin transeksual

25/06/2016 00:00

Pentagoni ka vendosur që të heqë çdo kufizim duke lejuar personelin ushtarak transeksual që të shërbejë hapur në forcat e armatosura që prej muajit të ardhshëm.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter më herët i cilësoi rregulloret që nuk e lejonin këtë të vjetëruara dhe të dëmshme për ushtrinë. Masat e reja janë mirëpritur nga aktivistët për të drejtat e transeksualëve.

Lajmërimi i Pentagonit vjen menjëherë pas emërimit të Erik Faning si Sekretar i Ushtrisë amerikane, homoseksuali i parë që merr një post kaq të lartë civil në ushtri. Vendimi i Pentagonit do të thotë se çdo degë e ushtrisë amerikane duhet që të implementojë politika të reja që mbulojnë rekrutimin, strehimin dhe uniformat e personelit transeksual.

Sigurisht që nuk kanë munguar kritikat për këtë vendim, pasi ligjvënësi republikan Mek Tornberi tha se sekretari Carter nuk i është përgjigjur shumë pyetjeve për këtë lëvizje.

“Nëse kjo ndodh, besoj se sekretari Carter ka vendosur axhendën politike të një administrate në largim para gatishmërisë së ushtrisë për krizat”, deklaroi Tornberi.

Qendra Kombëtare Amerikane për Barazinë e Transeksualëve pretendon se rreth 15.000 transeksualë shërbejnë në ushtrinë amerikane.

Top Channel