Zgjedhjet dhe drejtësia, Basha: Nëse PS e miraton vetëm, e ribëjmë

25/06/2016 00:00

Kur të gjithë po numërojnë ditët apo votat për reformën në drejtësi, kryerepublikani Fatmir Mediu i kërkoi opozitës të kthejë vëmendjen tek zgjedhjet.

“Kërkojmë edhe një herë, të gjithë bashkë si opozitë të vendosim si prioritet të prioriteteve, reformë të refomave reformën zgjedhore”, deklaroi Mediu në një takim të përbashkët me kreun e PD, Basha.

Nëse palët arrijnë kompromis për reformën në drejtësi, aty përfshihet edhe votimi dhe numërimi elektronik. Por me kompromis opozita ka parasysh vetëm zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.

“Pyetja është: a do t’i imponojmë kësaj oligarkie një drejtësi të pavarur as nga duart e dukshme, as nga ato të padukshme. A do ta bëjmë dot? Kjo nuk varet nga ne. Ne e kemi thënë fjalën tonë, ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias”, deklaroi Basha.

Dhe nëse kompromisi nuk arrihet?

“Nëse nuk ia dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur me çdo kusht të sabotojë reformën në drejtësi, apo ta shtyjë vendin drejt destabilizimit politik përmes deligjitimimit të Parlamentit, atëherë le t’i garantojmë sot shqiptarët se opozita me alternativat e saj i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë për një reformë në drejtësi sipas standardit të Komisionit të Venecias, që sot i garantoj shqiptarët do të bëhet, me ose pa Edi Ramën”, tha Basha.

Top Channel