Vlorë, sekuestrohen 168 kg kanabis, 3 në pranga

25/06/2016 00:00

Policia e Vlorës ka bërë të mundur sekuestrimin e 168 lënde narkotike, si dhe asgjësimin e 2500 rrënjëve kanabis, ndërsa janë vënë në pranga 3 persona.

Bëhet e ditur se personat e arrestuar janë shtetasit Adrian Latifi, 22 vjeç, Romario Latifi, 19 vjeç, të dy banues në Fier, si dhe shtetasi Mateos Xhambazi, 25 vjeç, banues në Korçë.

Në fshatin Tragjas i Vjetër, pranë vendit të quajtur “Qafa e Varreve” këta shtetas janë kapur në flagrancë nga Policia si autorët e dyshuar për kultivimin e 2500 rrënjëve me bimë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve të mëtejshme, është konstatuar një sasi tjetër e konsiderueshme me lëndë narkotike prej 168 kg kanabis, e cila ishte në procesin e tharjes.

Policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri “Pushkë M-63” e kalibrit 7.62 mm, e cila dyshohet se u përket kultivuesve.

Policia e Vlorës, në kuadër të këtij operacioni, ka proceduar në gjendje të lirë 33 shtetas të tjerë për “Moskallëzim krimi”, të cilët dyshohen se në kohë të ndryshme kanë shërbyer si punëtorë në këtë parcelë.

Top Channel