Vendimi i gjykatës, PD: Akuzat ndaj Beqajt nuk dolën shpifje

24/06/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar mbrëmjen e sotme lidhur me vendimin e gjykatës që shpalli të pafajshëm kryetarin e PD, Basha, përballë ministrit të Shëndetësisë, që e akuzonte për shpifje.

“Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot pretendimet e Ilir Beqajt, i cili u ankua për denoncimet që ka bërë kryetari i PD, Lulzim Basha, për hajdutërinë e tij në shëndetësi, më e madhja se në çdo sektor tjetër të qeverisë, për rrënimin e spitaleve, për mungesën e ilaçeve dhe materialeve bazike”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Në të nënvizohet se, kryetari Basha dhe Partia Demokratike në tërësi kanë denoncuar ashpër konçesionet e check up-it dhe të sterilizimit, “afera të pastra financiare, ku Beqaj ka firmosur ndarjen e 350 milionë eurove me klientët e tij dhe të Edi Ramës”.

“Ilir Beqaj ka qënë vazhdimisht i akuzuar nga kryetari i PD dhe nga mbarë opinioni publik, si hajdut me çizme, si kampioni i korrupsionit, që e ka kthyer shëndetësinë në kantierin më të madh të përfitimit për veten e tij e për Ramën, ndërkohë, duke sjellë rrënimin e shërbimit më të rëndësishëm në vend, që i ka kushtuar edhe jetën jo pak qytetarëve”, vijon deklarata.

Partia më e madhe e opozitës denoncon më tej se, “me Ilir Beqajn, spitalet s’kane ilaçe, mungojnë dorashkat për operacionet, pacientët shtrihen koridoreve, nuk ofrohet kimioterapia sepse nuk punon paisja e kobaltit, ndërsa medikamentet e skaduara po bëjnë kërdinë, ndërkohë që ministri u dërgon mesazhe qytetarëve që kanë ndërruar jetë pikërisht për shkak të rrënimit që ai ka shkaktuar”.

“Gjykata e Tiranës sot, edhe pse nën shantazhet e vazhdueshme të hajdutit Ilir Beqaj, ka çmuar se akuzat për korrupsion në shëndetësi nuk janë shpifje. Tashmë është e çertifikuar edhe zyrtarisht se Ilir Beqaj është kampioni i Edi Ramës në fushën e vjedhjes dhe përgjegjës për krimin e madh që bëhet ndaj shqiptarëve me kthimin e shëndetësisë në biznesin më të madh Rama-Beqaj, në kurriz të qytetarëve”, përfundon njoftimi.

Top Channel