Asgjësimi i kanabisit, deri tani 150 mijë bimë. Ish-drejtuesi: Viti më i “begatë”

24/06/2016 00:00

Në një kohë kur ende nuk është mbyllur qershori, në bazë të statistikave të Policisë së Shtetit, në vend janë asgjësuar rreth 150 mijë bimë narkotike kanabis. Por, sipas ish-funksionarëve të lartë të policisë, këtë vit vetëm në Lazarat nuk është kultivuar hashash.

“Sasia e asgjësimit të lëndës narkotike kanabis sativa, në raport me sasinë e kultivuar në të gjithë Shqipërinë është absolutisht e papërfillshme. Viti 2016 shënon edhe vitin kur kjo bimë në përmasa absolutisht 3 apo 4-fish më shumë sesa 25 vitet e fundit. Fenomen absolutisht i përmasave të mëdha, që është shfaqur kohët e fundit është hapja e tokave të reja”, thotë Aleks Hajdari, ish-drejtor policie.

Sasinë e madhe të bimëve të asgjësuara, zyrtarë të policisë më herët e kanë konsideruar si sukses të punës së uniformave blu. Por ish-drejtuesi i saj në Durrës e Shkodër ka informacione se, në këtë sipërmarrje kriminale janë të përfshirë edhe drejtues të lartë të vet policisë.

“Ne kemi informacione që drejtues të lartë policie kanë arritur derisa të numërojnë edhe rrënjët e bimës narkotike, sa janë mbjellë nëpër parcela. Të kultivohet kanabis në sasira të këtilla, të jetë i gjithë territori i përfshirë nga kjo lëndë narkotike pa garanci nuk ndodh sepse është goxha investim. Është goxha humbje nëse ajo arrin të identifikohet dhe të asgjësohet nga shërbimet e policisë”, tha më tej Aleks Hajdari.

Hajdari thotë gjithashtu se ky biznes ka edhe krahun e tij të punës, që tashmë është edhe i organizuar.

Top Channel