Drafti, administrata e Kuvendit refuzon kalimin në seancë plenare

24/06/2016 00:00

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë nuk e ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për ta çuar nismën kushtetuese nga Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi direkt në seancë plenare.

Në projektprogramin e punës së Kuvendit, që i është shpërndarë grupeve parlamentare, nisma kushtetuese për refromën në drejtësi propozohet të shqyrtohet sipas procedurës normale, duke kaluar më parë në mbledhjen e përbashkët të komisionit të ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.

Kjo procedurë do të ndiqet edhe për një nismë tjetër kushtetuese më të hershme, të ardhur nga Partia Demokratike, por që nuk ka të bëjë me reformën në drejtësi.

Burime zytrare saktësojnë për Top Channel se në projektprogram nuk janë përfshirë 7 projektligjet që bëjnë efektive reformën në drejtësi, nëse ajo do të miratohet brenda muajit korrik. Kjo, pasi ato nuk janë dorëzuar zyrtarisht në Kuvend si nisma të përfunduara ligjore.

Ndërkohë, një ditë pasi opozita u shpreh konkretisht kundër vetingut si proces i drejtuar nga ndërkombëtaret ka ardhur edhe reagimi i parë për këtë çështje nga një deputet i maxhorancës.

Ai është Përparim Spahiu, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një mesazh në Twiter ai shkruan:

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, KE dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta”, pyet deputeti i LSI-së.

Mesa duket, ky është një qëndrim personal i deputetit Spahiu, ndërsa draftin për ndryshimet kushtetuese e ka nënshkruar kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Top Channel