Papa në Armeni: Gjenocidi i turqve, fillimi i një serie katastrofash

24/06/2016 00:00

Papa Françesku i ka përshkruar sërish si “gjenocid” vrasjet masive të armenëve nën regjimin e osmanëve turq gjatë Luftës së Parë Botërore. Këtë përkufizim, ai e ka përdorur gjatë vizitës së bërë në kryeqytetin armen, Jerevan, një deklaratë që Ati i Shenjtë e ka bërë edhe vitin e kaluar, duke shkaktuar irritimin e Turqisë.

Armenia dhe shumë historianë thonë se rreth 1.5 milionë të krishterë armenë u vranë nga forcat osmane në vitin 1915. Megjithatë, Turqia e ka vënë gjithnjë në dyshim këtë shifër, madje refuzon me forcë ta përdorë termin “gjenocid”. Sipas Ankarasë, vdekjet e atëhershme kanë qenë pjesë e një konflikti civil të shkaktuar prej Luftës së Parë Botërore.

Mosmarrëveshjet mbi karakterizimin e atyre vrasjeve vazhdojnë të mbajnë të përkeqësuara marrëdhëniet mes Armenisë dhe Turqisë, ndërkohë që ka përfshirë në këtë debat edhe vende të tjera si Gjermania, parlamenti i së cilës “Bundestag” i quajti së fundi vrasjet si “gjenocid”.

Në një adresim ndaj Presidentit armen, Serzh Sargsyan, dhe trupës diplomatike, Papa tha se “gjenocidi” shënoi “fillimin e një serie katastrofash të mëdha të shekullit të kaluar”.

Top Channel