24 qershori, egjiptianët e kërkojnë festë zyrtare. Mustafa i mbështet

24/06/2016 00:00

Komuniteti egjiptian në Kosovë ballafaqohet ende me probleme të shumta. Kështu u tha në një konferencë të thirrur nga Qeveria e Kosovës gjatë së premtes. Prej disa vitesh ky komunitet po kërkon të drejtat e tyre, ndërsa datën 24 qershor duan që të njihet si ditë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ky propozim u përkrah edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se me të drejtë është ngritur si çështje dhe se kjo datë duhet bërë festë zyrtare. Kryeministri tha se misionet tona respektojnë traditën dhe historinë e njerëzve të begatshëm, duke vlerësuar lart të kaluarën e komunitetit egjiptian dhe duke e cilësuar atë si një e kaluar e dinjitetshme.

“Po konsideroj që dita e komunitetit egjiptian, e cila festohet më 24 qershor, është për t’u bërë festë zyrtare e Kosovës. Duke shënuar këtë festë, misionet tona respektojnë traditën dhe historinë e njerëzve të begatshëm të Kosovës, e njëkohësisht respektojnë edhe diversitetin kulturor, diversitetin etnik, fetar. Këtë e konsiderojmë si pasuri të veçantë tonën. E kaluara e komunitetit egjiptian në Kosovë është një e kaluar me shumë dinjitet. Bashkëjetesa me respekt të ndërsjelltë mes komunitetit egjiptian dhe shqiptarëve, por edhe me komunitetet e tjera në Kosovë, ndarja e së mirës dhe së keqes dikur, por edhe tani, sepse nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet, është një sfidë me të cilën duhet të ballafaqohemi. Mund të themi se, bashkërisht ta mundim dhe ta realizojmë atë”, tha Mustafa.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se komunitetet që jetojnë në Kosovë janë pasuri e Kosovës. Abrashi nuk la pa përmendur edhe rritjen e asistencës sociale me 25%.

“Komunitetet në Kosovë janë pasuri e Kosovës, janë të mbrojtura me ligje të veçanta dhe me Kushtetutë, ndaj dhe ne krenohemi që jemi shumë përpara sa i përket rajonit. Papunësia, siç e dini, për të gjithë është sfidë, për të gjitha komunitetet, sikurse edhe mirëqenia sociale, e posaçërisht për disa qytetarë, të cilët me të vërtetë jetojnë në gjendje pak më të rëndë. Në mënyrë që të adresojmë këtë, vitin e kaluar në ditën ndërkombëtare të varfërisë ne kemi bërë një hap simbolik dhe kemi bërë rritjen e asistencës sociale me 25%. Diku rreth 26 mijë familje në Kosovë, e kjo ka prekur edhe komunitetin nga asistenca sociale”, tha Abrashi.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe deputeti nga komuniteti egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, i cili tha se komuniteti egjiptian ka kontribuar edhe në luftën për çlirimin e vendit dhe këtë e dëshmojnë më së miri dëshmorët dhe veteranët e luftës.

Top Channel