Mustafa: Trende pozitive në rritjen e të ardhurave nga ATK-ja

24/06/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar sot Administratën Tatimore të Kosovës, ku u prit nga drejtori i Përgjithshëm Sakip Imeri.

“Kemi trende pozitive të rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që grumbullohet brenda, nga tatimi i të ardhurave të koorporatave, si dhe nga tatimi i të ardhurave personale. Ka ecuri të mirë edhe sa i përket implementimit të ligjit mbi faljen e borxheve, sikurse edhe sa i përket fiskalizimit. Por, konstatuam bashkërisht se ne do të punojmë edhe më tutje sa i përket, veçmas, fiskalizimit të njësive që merren me tregtimin e naftës dhe nënprodukteve të saj”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Gjatë takimit është biseduar edhe lidhur me strukturimin dhe rritjen e efikasitetit, ku Mustafa ka thënë se u konstatua bashkërisht se duhet të vlerësohet përformanca dhe profesionalizmi i çdo punonjësi, pasi është fjala për bizneset, që – siç tha kryeministri, – po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për Kosovën, për punësimin e njerëzve.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri tha se trendi i të hyrave është pozitiv, duke e vlerësuar me nota të larta edhe çështjen e menaxhimit të stafit.

“Jemi zotuar se për të gjitha detyrat që na detyron ligji, ne do të jemi të përkushtuar dhe do t’i kryejmë detyrat për të cilat jemi të thirrur. Trendi i të ardhurave është pozitiv. Është një trend i mirë në raport me të kaluarën në të gjitha llojet e tatimeve. Po ashtu edhe çështja e menaxhimit të stafit është pozitiv, është një përkushtim në punë dhe një prezantim i rezultateve nga puna e të gjithë tatimpaguesve që përmbushin në mënyrë vullnetare tatimet”, tha Imeri.

I pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti. Gjatë konferencës për media u trajtuan edhe temat që lidhen me bashkimin e dy agjencive, ATK-së dhe Doganave, fiskalizimin e bizneseve në pjesën veriore e të tjera.

Top Channel