Haradinaj e Vujiçiç kërkojnë qasje të drejtë për demarkacionin

24/06/2016 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim kryetarin e komunitetit malazez në Kosovë, Slobodan Vujiçiç, ku u diskutua për pozitën e pjesëtarëve të këtij komuniteti, si dhe për çështjen e demarkacionit.

AAK, përmes një komunikate ka njoftuar se në këtë takim ka pasur një qëndrim të përbashkët të kryetarit Haradinaj dhe Vujiçiç, se çështja e demarkacionit kërkon një qasje të drejtë e profesionale në interes të të dyja vendeve.

“Ka qenë një qëndrim i përbashkët i kryetarit Haradinaj dhe zotit Vujiçiç, se kjo çështje kërkon një qasje të drejtë, profesionale dhe të paanshme, në mënyrë që ajo të zgjidhet në përputhje me interesat e ndërsjellta”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Haradinaj është shprehur i vendosur që komuniteti malazez në Kosovë të realizojë të gjitha të drejtat e veta në kuadër të Republikës së Kosovës, si dhe të trajtohet si të gjitha bashkësitë e tjera etnike.

“Malazezët në Kosovë, sikurse edhe shqiptarët në Mal të Zi, janë elementë të rëndësishëm që përcaktojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Haradinaj.

Top Channel