Përballja me Italinë, për spanjollët si finale

24/06/2016 00:00

Te Spanja duket se është harruar humbja me Kroacinë dhe të gjithë janë të fokusuar të ndeshja e së hënës ndaj Italisë. Mbrojtësi Juanfran deklaroi se kjo përballje është si një finale për “La Roja” dhe se të gjithë lojtarët duhet të bëjnë lojën më të mirë për të kaluar.

“Për ne ndeshja kundër Italisë është një finale, sepse ne e dimë se humbja të çon në shtëpi, kjo vlen edhe për ata. Ne duam të shfaqim versionin tonë më të mirë më pas do të shohim se cila prej skuadrave do të kualifikohet. Besoj se edhe ekipet e tjera si Franca e Gjermania do t’i kenë të vështira ndeshjet e tyre”, tha ai.

Mbrojtësi i Atletico Madrid pranoi gjithashtu se besimi i tepruar ishte shkaku që Spanja e humbi sfidën me Kroacinë në ndeshjen e fundit të Grupit D, që ishte disfata e parë e kësaj skuadre në Europianë që nga viti 2004.

“Besuam më shumë se ç’duhet te fakti se gjërat po shkonin në rrugën e duhur dhe se bilanci ishte në anën tonë. Ne duhet të korrigjojmë këtë problem ndaj Italisë, jam i sigurt se do t’ia dalim”, tha Juanfran.

Spanja edhe në të kaluarën ka ditur të kthejë situatën në favor pas një disfate, si në Botërorin 2010 kur humbi ndaj Zvicrës, për të fituar trofeun për herë të parë në historinë e saj.

Top Channel