Ankthi pas Brexit, reagimet pas referendumit

24/06/2016 00:00

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk qe nga të parët që komentoi Brexit-in duke thënë se përbën një “moment politik shumë serioz, madje dramatik” dhe këmbënguli se është i përkushtuar të ruajë unitetin e 27 vendeve të BE-së.

Bashkimi, ishte komenti i tij, është korniza e ardhmërisë tonë të përbashkët

“Nuk ka pse e fshehim faktin që dëshironim një tjetër rezultat të këtij referendumi. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm se çfarë pasojash dramatike do të ketë ky zhvillim politikisht, por dua t’i siguroj të gjithë se jemi të përgatitur edhe për këtë skenar negativ. I kam kaluar dy ditët e fundit duke diskutuar me liderë të BE-së mbi mundësinë e një Brexit-i”, tha Tusk.
 
Qëndrimin e tij kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker e pati paralajmëruar që përpara votimit.

“Politikëbërësit britanikë dhe votuesit britanikë duhet ta dijnë se nuk do të ketë asnjë lloj rinegociimi. Jashtë është jashtë!”, deklaroi Juncker.

Në Parlamentin Europian lajmi i fitores së kampit në favor të largimit, ka sjellë trishtim.
 
“Ky është një moment i vështirë për të dyja palët, si për BE-në, ashtu dhe për Mbretërinë e Bashkuar. Tani do të fokusohemi tek aspekti ligjor e ai procedurial për të parë hapat që do të hidhen në vazhdimësi. Po hyjmë në kohë të trazuara, e na lipset stabilitet”, deklaroi Presidenti i PE-së, Martin Schulz.
 
Kancelarja Angela Merkel shprehu keqardhje të thellë pas lëvizjes britanike për largim.

“Po jetojmë në një botë të trazuar, por Europa duhet të qëndrojë e qetë dhe e bashkuar, e si një e tërë duhet t’i bëjë dhe analizat e marrjen e vendimeve”, u shpreh Kancelarja.

Shefja e ekzekutivit gjerman do të mbajë të hënën në Berlin një samit post Brexit-it me kryeministrin italian Matteo Renzi, me kreun e KE-seë,Tusk dhe presidentin francez Francois Hollande. Lëvizja nxjerr në pah vendosmërinë e kancelares për ta mbajtur bllokun të bashkuar, pavarësisht presioneve politike apo atyre populiste në mbarë kontinentin. Të katërt ata do të përgatiten me pas për takimin e Këshillit Europian që Tusk do të drejtojë ditën e mërkurë.

Top Channel