Britani, peticion për përsëritjen e referendumit

24/06/2016 00:00

Mbështetësit e Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian refuzojnë të pranojnë rezultatin e referendumit dhe kërkojnë mbajtjen e një tjetër referendumi për këtë çështje.

Nisma për të votuar sërish për të dalë apo jo nga BE është thërritur nga Oliver Healey, përmes një peticioni të ngritur në faqen zyrtare të internetit të Parlamentit britanik. Menjëherë pas publikimit dhe shpërndarjes nëpër rrjetet sociale, fluksi i personave që nisën të nënshkruajnë këtë peticion ishte aq i madh sa faqja e Parlamentit doli jashtë funksionit disa herë.

Që një peticion të shqyrtohet nga Parlamenti dhe Qeveria britanike duhet të kalojë 100 mijë nënshkrues, shifër që tashmë është tejkaluar nga rasti në fjalë.

Nismëtarët e peticionit thonë se kërkesa e tyre bazohet në një rregull të miratuar për referendumin në fjalë, që thotë se nëse vota pro apo kundër Bashkimit Europian është nën 60 përqind dhe pjesëmarrja është nën 75 përqind, atëherë duhet të mbahet një referendum i dytë.

Vota pro daljes nga Bashkimi Europian mori 52 përqind, kundër 48 përqind për të qëndruar, ndërsa pjesëmarrja ishte 72 përqind e votuesve britanikë.

Top Channel