Efekti i Brexit te Real Madrid, Bale kthehet në ekstrakomunitar

24/06/2016 00:00

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian i hap një problem të madh Realit të Madridit dhe Gareth Bale. Kjo për faktin se futbollisti uellsian tashmë do të konsiderohet një ekstrakomunitar dhe në këtë pikë klubi madrilen del zbuluar.

Kjo sepse Reali i Madridit e ka të plotësuar numrin e ekstrakomunitarëve me James Rodriguez, Danilo e Casemiro. Gjithsesi, dalja e Britanisë nga BE-ja nuk do të ndodhë brenda 24 orësh dhe parashikohet që bisedimet në lidhje me këtë pikë do të zgjasin, por është e sigurt se futbollisti uellsian preket shumë nga ky vendim i popullsisë britanike dhe si pasojë ndikon edhe në planet e klubit madrilen, duke qenë se drejtuesit e tij i kanë ofruar rinovimin Bale deri në vitin 2023.

Në këtë moment, legjislacioni evropian u lejon qytetarëve që të lëvizin lirisht drejt 28 vendeve të BE-së pa pasur nevojën e kontrolleve kufitare dhe i autorizon ata që të qëndrojnë në këto vende deri në 3 muaj pa asnjë lloj kushti. Por, nëse kalohen këto 3 muaj, atëherë është e nevojshme që personat të kenë një kontratë pune për të vijuar qëndrimin në një nga vendet e BE-së.

Me “Brexit”, e ardhmja e qytetarëve britanikë që jetojnë në vendet e BE-së nuk është e qartë dhe të drejtat e tyre do të diskutohen në bisedimet që Londra do të zhvillojë me Brukselin për procesin e daljes nga BE-ja, proces që pritet të zgjasë nga 2 në 7 vjet.

Top Channel