Shqiptarët, të tronditur nga “Brexit”

24/06/2016 00:00

Ashtu si një pjesë mjaft e madhe e britanikëve, edhe shqiptarët e Britanisë që kanë votuar në referendumin e së enjtes, por edhe ata që janë pa dokumenta të rregullta qëndrimi janë gdhirë të shokuar nga rezultati i votimit. Dalja e Britanisë nga BE-ja për ta ka qenë e papritur, pasi kanë besuar se ashtu siç kanë votuar ata pro qëndrimit, edhe shumica e britanikëve nuk do të votonin për daljen nga BE-ja.

Shumica e shqiptarëve ndihen të tronditur, të habitur dhe të paqartë se çfarë do të ndodhë më tej. Ata që kanë shtetësinë dhe pasaportën britanike nuk dinë ende se çfarë do të ndodhë me të drejtën e udhëtimit nëpër vendet e BE-së pas këtij rezultati, ndërkohë që ata që janë pa dokumente dhe në proces azilkërkimi shpresojnë se tashmë do të ndryshojnë edhe marrëveshjet e riatdhesimit të Britanisë me vendet e BE-së dhe shumë prejt tyre nuk do të rikthehen dot nga autoritetet britanike në vendet e para të sigurta të BE-së, në bazë të marrëveshjes aktuale të Dublinit.

Ka nga ata që kërkojnë me humor edhe referendum për Londrën, që votoi në masë pro qëndrimit, pasi, sipas tyre, pjesa tjetër e vendit është “e droguar”. Dikush tjetër mendon se Britania është e ndarë jo vetëm gjeografikisht, por edhe nga pikëpamja e brezave, ku të rinjtë janë të lidhur dhe jetojnë në një botë globale, ndaj dhe ndihen konfuzë.

Por, ka edhe nga ata që janë të lumtur që jetojnë në një vend si Britania, ku politika dhe kryeministri bëjnë atë që është më dinjitozja në demokraci, duke dëgjuar vullnetin e popullit, ndërkohë të tjerë bëjnë paralelizma ku votuesit kundër Evropës i krahasojnë me masat e papërgjegjshme të Athinës antike që e vranë Sokratin, të cilët duke u bashkuar me idetë ekstremiste djathtiste kërkojnë të ruajnë, siç thonë ata, një Angli të dikurshme e cila ekziston vetëm në perceptimet e tyre të mjegullta.

Top Channel