Britania jashtë BE-së, Cameron jep dorëheqjen

24/06/2016 09:30

Britania e Madhe votoi për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian, në referendumin historik që u mbajt të enjten. 52 përqind e zgjedhësve kërkuan largimin nga unioni të cilit ju bashkuan 43 vite më parë, ndërsa 48 përqind ishin pro qëndrimit.

Anglia dhe Uellsi votuan bindshëm për “Brexit”, ndërsa Londra, Skocia dhe Irlanda e Veriut mbështetën qëndrimin. Rezultati i parë i votimit është dorëheqja e kryeministrit David Cameron, i cili pavarësisht thirrjeve të konservatoreve pro shkëputjes, të tille si Boris Johnson dhe Michael Gove për të mos u larguar pavarësisht rezultateve, shpalli vendimin gjatë një konference për shtyp dhe tha se pasuesi i tij do të zgjidhet brenda tetorit.

“Votimi i popullit britanik do të respektohet. Nuk mund të jem unë ai që do të udhëheqë vendin drejt këtij angazhimi të ri. Duhet një lider i ri, që do të zgjidhet brenda muajit tetor e që do të drejtojë negociatat me BE”, u shpreh Cameron.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i tregjeve elektronike me paundin që ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit që prej 1985.

Pjesëmarrja në referendum ishte më e larta e shënuar në zgjedhje britanike që prej 1992-shit, 71.8 përqind, ose e përkthyer në shifra 30 milionë njerëz. Lideri i UKIP euroskeptike, Nigel Farage, i cili ka kërkuar shkëputjen e Britanisë nga BE-ja për 20 vitet e fundit tha se kjo ishte dita e pavarësisë, një fitore për njerëzit e thjeshtë.

Ish ministri laburist i Europes Keith Vaz tha për BBC se populli kishte votuar me emocione duke refuzuar këshillën e ekspertëve që paralajmëruan mbi impaktin ekonomik të largimit nga BE. Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të organizojë një samit të jashtëzakonshëm për të menaxhuar atë që do të vijë pas votimit, të cilin e përshkroi si katastrofik për vendin, për Europën e pjesën tjetër të botës.

Britania e Madhe do të jetë vendi i parë që do të shkëputet nga unioni që prej krijimit të tij, por votimi pro largimit nuk nënkupton një shkëputje të menjëhershme të Britanisë nga blloku i 28-tëve.

Procesi do të kërkojë minimalisht 2 vjet, me aktivistët pro largimit që sugjeruan gjatë fushatës se ai nuk duhet të përfundojë deri në 2020-ën, kur pritet të mbahen zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Qeveria duhet të negociojë edhe marrëdhënien e saj tregtare me BE-në në të ardhmen dhe të përcaktojë marrëveshjet tregtare me vendet që nuk janë pjesë e BE-së. 

Top Channel