Kolumbi, nënshkruhet marrëveshja e çarmatosjes së FARC-ut

23/06/2016 00:00

Qeveria kolumbiane dhe guerrilasit e FARC-ut kanë deklaruar se e enjtja ishte dita e fundit e një prej luftërave më të vjetra në botë. Ata i dhanë fund gjakderdhjes me nënshkrimin e një marrëveshjeje pas më shumë se 50 vitesh konflikt.

Në një ceremoni në Havana, i ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, Presidenti Juan Manuel Santos dhe shefi i guerrilasve Timoleon “Timochenko” Jiménez ishin dëshmitarë të ujdisë së armëpushimit, e cila fliste për çarmatosjen e rreth 7.000 luftëtarëve të përfshirë në sulme.

Edhe pse verdikti përfundimtar për paqe do të kërkojë referendum, ndërprerja formale e armiqësive është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së një lufte që ka shkaktuar rreth 250 mijë të vdekur dhe shpërnguljen e më shumë se 6 milionë njerëzve.

Të tjerë dëshmitarë të ujdisë ishin edhe krerë të Amerikës Latine, midis tyre Presidenti kuban Raul Castro dhe homologu i tij nga Venezuela, Nicolas Maduro, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në inkurajimin e bisedimeve për paqe.

Marrëveshja përfundimtare pritet të marrë disa muaj dhe analistët gjykojnë se ajo do të nënshkruhet në ditën e Pavarësisë së Kolumbisë, më 20 korrik. Armiqësia publike ndaj FARC dhe rebelëve të tjerë të majtë, që financojnë organizatat e tyre përmes rrëmbimeve dhe trafikut të drogës, mbetet në nivele shumë të larta. Por qeveria u ka siguruar atyre mbështetje, kur ata të riintegrohen në rrjedhën normale të shoqërisë.

Top Channel