Opozita kundër vetingut, Berisha: Nuk mund ta bëjnë të huajt

23/06/2016 00:00

Reforma në drejtësi nuk ishte në rendin e ditës së Parlamentit, por ajo zuri vendin më të madh të debateve. Pjesë e mosmarrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës është edhe roli i ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.

“Unë jam që ata të jenë vëzhgues, të shohin si veprojnë shqiptarët, zbatojnë ligjin apo maliqin, por jo për ta bërë ata vetingun. Kurrë! Duhet të jetë proces shqiptarë dhe ju që fshiheni pas të huajve në këtë proces, fshiheni pas kullave të studios franceze”, tha Berisha.

Votë kundër deklaroi për herë të parë edhe Jozefina Topalli.

“I vetmi moment që do të votoja këto nene, do të ishte nëse të gjithë titullarët e institucioneve dhe gjithë kryetarët e partive do të jepnin dorëheqjen, sepse nëse pranojmë që të miratojmë një nen që ndërkombëtarët të bëjnë edhe kaq pak punë se ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë, do të thotë që sistemi politik ka degjeneruar në çdo detaj dhe çdo veprim të tij”, tha Topalli.

Por Fatmir Xhafaj bëri një shpjegim.

“Nëse ka një pjesë të projektit, që e kanë shkruajtur nga mëngjesi deri në darkë ekspertët ndërkombëtarë në zyrat e Brukselit dhe Uashingtonit, është pjesa e vetingut. Nëse ju nuk i besoni dhe nuk i doni ata, atëherë ky nuk është problemi ynë, është problemi juaj”, tha Xhafaj.

Reforma në drejtësi nuk do të jetë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit të paktën deri më 1 korrik. Gjatë mbledhjes së kryetarëve të Grupeve Parlamentare, socialistët hoqën dorë nga kërkesa për ta futur nismën kushtetuese në seancën e së enjtes.

Demokratët thanë se kjo ishte tërheqje për shkak të mungesës së votave, një argument që opozita e përdori edhe kur mazhoranca kërkoi heqjen nga rendi i ditës së dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të kamerave për sigurinë publike. 

Gramoz Ruçi, kryetar i grupit të PS: Me qëllim që grupet politike parlamentare të shqyrtojnë me vëmendje vërejtjet që ka bërë Presidenti për kushtetutshmërinë e ligjit, për implementimin e sugjerimeve dhe vërejtjeve që kanë bërë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me qëllimin e mirë që ligjin ta kalojmë në një kohë të dytë.

Edi Paloka, kryetar i grupit të PD: E vetmja arsye është se nuk ka votat ta kalojë dhe sa herë të mos ketë votat zoti Ruçi, Parlamenti nuk mund të kthehet në një lolo të dëshirave dhe synimeve të Grupit Parlamentar të PS-së. Ne jemi kundër heqjes së dekretit nga rendi i ditës.

Që një dekret të rrëzohet kërkon 71 vota, por të martën në Komisionin e Sigurisë, aleatët qeverisës nuk votuan në bllok me socialistët kundër dekretit të Presidentit.

Top Channel