Referendumi i BE-së, fushatat pro e kundër në 90 sekonda

23/06/2016 00:00

“Do të shkoj në Parlament dhe do të propozoj një referendum “in or out” (brenda apo jashtë) që do të mbahet të enjten e 23 qershorit”, kishte deklaruar kryeministri David Cameron në ditët e para të idesë së shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian, që në atë kohë kushtëzohej me ndryshimin e një sërë kushtesh e traktatesh të unionit, për t’i ofruar një “status special” britanikëve.

Ndërkohë, kreu i fushatës prolargimit, Boris Johnson, u shpreh se pas diskutimesh të gjata të mbështeste largimin, sepse – siç tha ai, – unë dua një marrëveshje më të mirë për popullin e këtij vendi. Por cilat janë karakteristikat kryesore të të dy kampeve që bënë fushatë deri ditën e djeshme? Le të ndjekim një analizë të bërë nga “The Telegraph”.

Fushata pro qëndrimit

1. Britania më e fortë në Europë

“Britania më e fortë në Europë” është zgjedhur si slogani zyrtar i kampit që kërkon qëndrimin në BE. I drejtuar nga shefi ekzekutiv i “Marks&Spencer”, Stuart Rose, kjo alternativë ka mbështetjen e peshave të rënda, apo e figurave me zë të biznesit dhe të politikës britanike, si David Cameron, George Osborne e Teresa May, por edhe Sir Richard Branson, baronesha Karren Brady dhe ish-kryeministri Tony Blair.

2. Një ekonomi më e fortë, lidership më i fortë

Grupi në fjalë thotë se qëndrimi në BE është një vendim “pozitiv dhe patriotik”, ndërsa largimi do të kufizonte tregtinë e lirë e do të zvogëlonte influencën e Britanisë nëpër botë.

Fushata pro largimit

Votoni largimin, le të kursejmë parà! Investo në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS), investo në shkencë, ndrysho!

“Votoni largimin” është zgjedhur si slogani zyrtar i kampit për shkëputjen e Britanisë nga unioni. Kryesohet nga Boris Johnson e mbështetet nga Michael Gove. Hoqi nga rruga sfidën e një fushate rivale, “Grassroot Out”, të përkrahur nga Nigel Farage. Mes mbështetësve më të zellshëm rreshtohen edhe Ian Duncan Smith dhe Chris Grayling. “Votoni largimin” pretendon se kryeministri David Cameron nuk ka arritur asnjë reformë të qenësishme në BE.

Të dyja fushatat kanë qenë në gjendje të shpenzojnë deri në 7 milionë paund. Ato kanë përfituar gjithashtu publicitete falas në “e-mail”-e, transmetime televizive dhe 600 mijë paund nga fondet publike në periudhën përgatitore përpara referendumit.

Top Channel