Me mijëra shqiptarë të shpërngulur nga Lugina e Preshevës

23/06/2016 00:00

Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe subjektet politike në Luginën e Preshevës, duhet urgjentisht të zgjidhin çështjen e të drejtave të shqiptarëve në atë pjesë, por gjithashtu duhet të ndahet një fond prej 10 milionë eurosh për investime atje.

Kështu u tha në tribunën e organizuat nga klubi “Trojet” me rastin e 23 qershorit të vitit 1999, ditën e të dëbuarve dhe të zhvendosurve nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva.

Qëllimi kësaj tribune ishte trajtimi i dëbimit të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, parandalimi i kësaj dukurie dhe adresimi i këtyre problemeve tek institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ish-kryetari i klubit “Trojet”, Ismail Muharremi tha se si pasojë e përndjekjeve të shqiptarëve nga komuna e Medvegjes në periudhën 1999 nga gjithsejtë 905 familje me 4 mijë e 477 banor sa ishin në fund të vitit 1998, mbeten 164 familje me 486 veta. Sipas tij, tani kjo gjendje është e rëndë me më pak se 100 familje dhe nën 500 banorë shqiptarë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Raif Qela duke komentuar gjendjen e rëndë në Luginën Preshevës, tha se shqiptarët e dëbuar duhet të bëjnë më shumë presion ndaj institucioneve të Kosovës që të marrin me seriozitet këtë problem. Sipas tij, këto institucione duhet marrin parasysh kërkesat e shqiptarëve, ashtu sikur po merren parasysh kërkesat e qeverisë serbe për qytetarët serb në Kosovë.

Ai ka treguar se si mund të zgjidhet problemi qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Veprimtari në Luginë të Preshevës, Refik Hasani tha se 23 qershori do të kujtohet si një ditë e kobshme për gjithë historinë e asaj ane. Sipas tij, nga 23 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2002 nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë vendosur në komunën e Gjilanit rreth 12 mijë banorë shqiptarë.

Në këtë tribunë dolën konkluzionet se partitë politike në Luginë, Prishtina zyrtare dhe autoritetet e Shqipërisë duhet me ngulm të zgjidhen problemet e kësaj ane, duke i lënë anash përçarjet e partive në Luginë. Po ashtu, u tha të ndahet një fond prej 10 milionë eurosh për investime atje.

Top Channel