Kosovë, Administrata Publike shënon Ditën e Shërbimit Civil

23/06/2016 00:00

Ministria e Administratës Publike (MAP) për të shtatën herë me radhë shënoi sot 23 qershorin, Ditën ndërkombëtare të Shërbimit Civil. Kjo ditë ka për qëllim njohjen e vlerave dhe virtyteve të shërbimit civil ndaj komunitetit, duke vënë në pah kontributin e tyre në procesin e zhvillimit, në mbështetje të punës së shërbyesve civil.

Zëvendësministri i Administratës Publike, Hajredin Hyseni, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MAP janë përkushtuar për të ndërtuar një administratë publike të avancuar, profesionale, efikase dhe transparente. Hyseni bëri të ditur që prioritet i ministrisë është vazhdimi i procesit të reformimit të Administratës Publike dhe Reformimi i Shërbimit Civil.

“Një nder prioritete kryesore të ministrisë së Administratës Publike është vazhdimi i procesit të reformimit të Administratës Publike dhe reformimin e Shërbimit Civil. Reforma është prioritete kyç i Qeverisë, e që konsiderohen korciale në menaxhimin e zhvillimit ekonomik dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. Në kuadër të strategjisë së modernizimit të AP-së 2015-2020 dhe planit të veprimit për zbatimin e saj të miratuar nga qeveria , Reformimi i Shërbimit Civil është një prej objektivave kryesore. Në pajtim me planin e veprimit për reformën e administratës publike, MAP me projektin për modernizimin e sektorit publik ka punuar në dokumentet strategjike dhe proceset reformuese sa i përket menaxhimit të burimeve njerëzore. Zbatimi i sistemit të ri të pagave pa dyshim që paraqet qëllimet kryesore të procesit të klasifikimit të vendeve të punës në shërbimin civil, andaj standardizimi dhe unifikimi i titujve dhe përshkrimi i vendeve të punës në shërbimin civil dhe zbatimi i sistemit të ri të pagave, sipas parimit pagë të njëjtë për punë të njejtë, është një nga të arriturat dhe synimet e MAP-it”, tha Hyseni.

Hyseni përmendi edhe punën e bërë në drejtim të zbatimit të Sistemit të Pagave, si njërin ndër qëllimet për klasifikimin e vendeve të punës, standardizimin e njësimin e titujve, përshkrimet e vendeve të punës dhe zbatimin e Sistemit të ri të pagave, nën moton: “Për punë të njëjtë-pagë të njëjtë”.

Duke folur për zbatimin e Sistemit të menaxhimit të Informatave në Shërbimin Civil të Kosovës, Hyseni dëshmoi se ky sistem është shtrirë në institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Në kuadër të sukseseve, ai, përmendi edhe Strategjinë për Trajnimin e Nëpunësve Civilë 2016-2020 dhe Planin e Veprimit, nëpërmjet të cilit Kosova ka bërë hap drejt integrimit evropian. Hyseni, evidencoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me donatorët siç janë: UNDP-ja, GIZ, SIGMA, Banka Botërore të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë në procesin e reformës në administratë.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, Lulzim Alijaj, tha së Këshilli i pavarur mbetet i përkushtuar në zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil. Ai tha se Këshilli, si institucion kushtetues dhe ligjor, bazohet përmes tri funksioneve kryesore që ka , përmes zgjedhjeve së konteksteve dhe ankesave, përmes procesit të vëzhgimit si dhe përmes monitorimit ka siguruar zbatimin e legjislacionit në institucionet e administratës publike.

“Ne, në kuadër të mandatit, kemi shqyrtuar gjithsejtë 632 ankesa, vitin e kaluar kemi përmbledhur të gjitha rekomandimet dhe shkeljet që janë bërë nga nëpunësit apo nga institucionet e administratës publike, kemi përcaktuar objektet e ankesave dhe këtu mund të themi që dominon kontestimi i konkursit apo procedurat e rekrutimit. Ne kemi rekomanduar një listë prej 20 pikave për Kuvendin, Qeverinë dhe për institucionet tjera, duke filluar nga ndryshimi i ligjit për shërbimin civil. Ajo që është shqetësuese, për të cilën gjë kemi informuar edhe kryetarin e Kuvendit edhe kryeministrin, është që institucionet vazhdojnë të mos zbatojnë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Në vitin e fundit kemi pasur 41 vendime të pa zbatuara. Keni parasysh, sepse për çdo mos zbatim të vendimit të Këshillit mund të keni pasoja dhe përgjegjësi penale”, tha Alijaj.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Kosovës, Mursel Zymberi, në një fjalë rasti ka kritikuar kryeministrin Isa Mustafa, i cili përkundër paralajmërimit mungoi, duke thënë se pozita e shërbyesve civil shihet nga vetë fakti i nivelit të pjesëmarrjes së Qeveris në këtë panel. Ai tha se është për të ardhur keq se si nuk gjejnë kohë të dalin para nesh dhe të tregojnë se çka kanë bërë për shërbyesit civil. Zymberi gjithashtu tha se Qeveria e Kosovës po privon të bëjë një katalog për vende të punës.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u shpërblyen edhe 74 shërbyes civilë për rezultatet e shënuara në punë.

Top Channel