Gjermani, agresori qëllon me armë brenda kinemasë. Vritet nga policia

23/06/2016 00:00

Një person i armatosur raportohet të ketë shtënë brenda një kompleksi kinemaje në qytezën perëndimore gjermane të Viernheimit, pranë Frankfurtit, përpara se të qëllohet për vdekje nga policia.

Lajmi konfirmohet nga ministri i Brendshëm i shtetit në fjalë, Peter Beut, i cili tha para Parlamentit të Hessenit se policia mësyri menjëherë kompleksin “Kinopolis” pas raportimit të të shtënave.

“Policia mori menjëherë në konsideratë faktin që agresori mund të kishte marrë pengje dhe për këtë arsye edhe u qëllua për vdekje”, shtoi ai. Të paktën 20 persona thuhet të kenë mbetur të lënduar, por ka raportime që këta të kenë mbetur të tillë si pasojë e gazit lotsjellës të hedhur nga forcat e rendit.

Policia e armatosur rëndë rrethoi kompleksin pas incidentit, që filloi pikërisht pasditen e kësaj të enjteje.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine” tha se është ende e paqartë nëse ka pasur një motiv politik apo ideologjik, apo nëse ky rast ishte një përpjekje e dështuar pengmarrjeje.

Beuth tha gjithashtu se “policia mori një telefonatë emergjence rreth orës 14:45. Telefonuesi tha se kishte parë një person të maskuar e të armatosur me një armë të gjatë. Por edhe kjo nuk dihet me saktësi nëse ka qenë pushkë”.

“Telefonuesi kishte dëgjuar 4 të shtëna dhe tha se personi i maskuar kishte shfaqur paqëndrueshmëri mendore. Ndaj dhe në vendngjarje shkuan menjëherë forca speciale të policisë”.

Top Channel