Misteri i anijes peng, nuk dihet vendndodhja

23/06/2016 00:00

Familjarët e dy marinarëve që ndodhen në peshkarexhën “Çelepia 2”, që pretendohet të jetë rrëmbyer nga një marinar egjiptian, i cili kërcënon se do ta mbysë nëse nuk i paguhen 70 mijë euro, ndodhen në ankth për fatin e njerëzve të tyre.

“Nuk e dimë fare si është. Jemi të gjithë në ankth. Më 21 qershor anija duhej të kthehej. Fillimisht u alarmuam për ndonjë mbytje, derisa egjiptiani kontaktoi vetë. I kemi kërkuar një foto të babit që ta shohim si është. Babai thoshte se ai ishte djalë i mirë e punëtor. Qeveria të angazhohet e të na japë një lajm, cilido të jetë, i mirë a i hidhur, pasi mami ngeli në spital”, thotë Damian Malja, djali i kapitenit të anijes.

Përmes komunikimit në rrjetin social Facebook dhe në Whatsapp, ditën e djeshme Adel Sallam dërgoi dy foto të motoristit të anijes, Luan Mema, të lidhur me zinxhirë. Ngjarja ka tronditur Flotën e Peshkimit në Durrës.

“Ngjarja mbart të gjithë elementet e një akti territorist me rrëmbim personi dhe pasurie dhe vënie gjobe. Jemi të tronditur. Edhe pse sinjali i tij i telefonit është në përdorim, ne nuk kemi informacion ku ndodhen”, thotë Klodian Kapiti.

Edhe pse pretendohet e rrëmbyer dhe është kërkuar dhe dëmshpërblim, deri tani nuk ka patur asnjë komunikim me pengmarrësin dhe as kërkesë për mënyrën se si dhe ku mund të paguhen paratë.

Egjiptani Adel Sallam është 29 vjeç dhe ka lindur në Beheira të Egjiptit. Më 18 janar ai mori lejen e qëndrimit për një vit në Shqipëri.

Top Channel