Kim Jong-un: Raketat e reja mund të godasin SHBA-të

23/06/2016 00:00

Diktatori koreno-verior, Kim Jong-un vlerësoi kapacitetet e Koresë së Veriut për të goditur shënjestra në Paqësor, pasi ushtria e tij testoi me sukses raketat Musudan me rreze të mesme veprimi.

Lideri i Penianit, i cili mbikqyri personalisht hedhjen e raketave të mërkurën, e përshkroi këtë si një ngjarje të madhe që kishte përmirësuar aftësitë e vendit komunist për të zhvilluar sulme bërthamore.

“Ne kemi aftësinë për të sulmuar në mënyrë praktike amerikanët në Paqësor”, citoi agjencia e lajmeve Kcna fjalët e liderit të Koresë së Veriut.

5 testime të mëparshme të raketave Musudan kanë dështuar. Por, një prej 2 raketave Musudan të lëshuara të mërkurën fluturoi për 400 km, para se të rrëzohej në detin e Japonisë. Tokio u shpreh thellësisht i shqetësuar lidhur me kërcënimin ushtarak pas atij që konsiderohet si testi më i suksesshëm i realizuar nga Koreja e Veriut. Sipas ministrit japonez të Mbrojtjes, kërcënimi po intensifikohej.

Ndërsa pritet një mbledhje e Këshillit të Sigurimit lidhur me çështjen, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter tha se akti nxirrte në pah nevojën që Uashingtoni dhe aleatët e tij të dërgonin sa më shpejt një sistem mbrojtjeje raketore në rajon. 

Zyrtarët amerikanë thanë këtë muaj se planet për vendosjen e sistemit mbrojtjes Thaad po përparonin dhe se një njoftim pritej së shpejti, pavarësisht kundërshtisë kineze ndaj këtij hapi. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e përshkroi hedhjen e raketave si një akt të papërgjegjshëm që sfidonte hapur rezolutat e OKB-së kundër përdorimit të teknologjisë balistike nga ana e Koresë së Veriut. Me një rreze veprimi që varion nga 2500 deri në 4 000 km, një raketë plotësisht funksionale Musudan, do të ishte në gjendje të godiste shënjestra në Korenë e Jugut, Japoni dhe në territorin amerikan të Guamit në Paqësor.

Top Channel