BSH: Kreditimi rrezikon ekonominë; FMN: Përmirësoni klimën e biznesit

23/06/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se rritja ekonomike po forcohet, por paralajmëroi për një rrezik; hezitimin e bankave për të dhënë kredi.

“Dhe nëse nuk do të përmirësohet, oferta e dobët për kredi nga bankat mund të vërë në rrezik rritjen e kredisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë”, deklaroi Sejko në një tryezë me ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

Debati se pse kredia nuk rritet është i vjetër. Por kjo është hera e parë që banka qëndrore e anon peshoren e përgjegjësive nga bankat private.

“Bankat private duhet të bëhen më largpamëse dhe fleksibël në politikat e kredive. Ne ju bëjmë apel të promovoni Shqipërinë në grupet tuaja bankare. Ne e dimë që ka një perceptim risku më negativ se sa realiteti për Shqipërinë. Kjo dëmton vendin sepse shumica e vendimeve për kreditë e mëdha merren në bankat mëma”, nënvizoi Sejko.

Në prill kredia për ekonominë ishte 92 milionë dollarë më e ulët se vjet. FMN thotë se ekonomia mund të përfitonte më shumë nëse kredia do të zhbllokohej.

“Mesazhi kryesor që unë dua të jap sot është se rimëkëmbja e ekonomisë po forcohet, çka është në linjë me trendin që ne shohim në vendet e tjera të rajonit. Por rritja ekonomike mund të fuqizohet më tej duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke adresuar faktorët që po frenojnë rritjen e kredisë”, deklaroi shefja e misionit të FMN-së në Tiranë, Anita Tuludhar.

Por pavarësisht shqetësimit të kredisë, qeveria duket se ka një pikëpamje edhe më optimiste për ekonominë.

“Përfundimisht ne e kemi lënë krizën prapa dhe nëse do të vazhdojmë reformat, dhe do t’i vazhdojmë, cikli ekonomik do të jetë shumë pozitiv për 5 deri në 8 vitet e ardhshme”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“Ka disa sektorë të rinj që mund të udhëheqin rritjen ekonomike si bujqësia, agropërpunimi, manifaktura apo turizmi dhe transporti”, tha ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

FMN dhe qeveria parashikojnë që rritja ekonomike këtë vit të jetë 3.4 për qind, ndërsa Banka e Shqipërisë ka një skenar më të përmbajtur dhe pret që prodhimi kombëtar të zgjerohet me 3 për qind. 

Top Channel