Misioni I BE-së në Mesdhe do të luftojë edhe trafikun e armëve

23/06/2016 00:00

Misioni i BE-së në Detin Mesdhe “Sophia” mbulon një zonë detare që përfshin bregdetin e Libisë, të Tunizisë e gjtihashtu të jugut të Italisë. Qëllimi i luftanijeve të këtij misioni është të pengojnë ardhjen e emigrantëve të paligjshëm në BE, të shpëtojnë refugjatët, varkat e të cilëve pësojnë avari e të luftojnë bandat kriminale të trafikantëve.

Me varkat prej druri në të cilat hyjnë 300 deri 600 refugjatë, trafikantët nxjerrin deri në një milionë dollarë fitime në vit. Qeveria gjermane vendosi tani zgjatjen dhe zgjerimin e mandatit të misionit “Sophia”. Në të do të marrin pjesë deri në 900 ushtarë të marinës gjermane, të cilët duhet të pengojnë edhe kontrabandën e armëve dhe të ndihmojnë qeverinë libiane për ndërtimin e Rojes Bregdetare dhe të marinës.

Kjo do të thotë që sipas këtij mandate, trupat e Frontex-it kanë të drejtë në rast dyshimi të ndalojnë për të kontrolluar në det të hapur edhe anije të mëdha dhe të konfiskojnë armë kontrabandë.

Zgjerimi i mandatit u bë i mundur prej dy vendimesh politike. Së pari, qeveria e unitetit e saporformuar në Libi e pranoi ofertën e BE-së për ndihmë per krijimin e Rojes Bregdetare. Italia do t’i vërë në dispozicion Libisë dhjetë anije patrullimi dhe për to do të shkollohet një ekuipazh prej 100 vetësh. Po ashtu, OKB-ja vendosi në qershor një embargo kundër tregtisë së armëve dhe tani respektimi i saj duhet të mbikëqyret.

Sipas të dhënave të OKB-së, në Libi hyjnë armë ilegale nga Turqia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat përfundojnë në duart e grupeve ekstremiste të ISIS-it. Një zëdhënës i MPJ-së në Berlin tha se rreziqet që vijnë për Evropën nga ISIS-i në Libi janë më të mëdha se nga Siria dhe Iraku.

Top Channel