Drafti në seancë, PD-PS mosmarrëveshje për rregulloren e Kuvendit

22/06/2016 00:00

Mosmarrëveshjes politike për paragrafin e famshëm 88 të Komisionit të Venecias i është shtuar edhe një mosmarrëveshje e re, ajo për nenin 77 të rregullores së Kuvendit. Nen ky që përcakton procedurën parlamentare që duhet të ndjekë nisma për ndryshimin e Kushtetutës.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Rregullores, demokratët kundërshtuan kërkesën e socialistëve që drafti t’i kalojë menjëherë seancës, pa u shqyrtuar më parë sipas procedurës rutinë.

“Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Ajo që po bëhet përditë evidente është se s’duan as procedurën ta zbatojnë. Pra, është një ecje arrogante, praktikë e kësaj mazhorancë që daton në kohën e Enverit, që thoshte ‘pse, ligjet tona do të na pengojnë ne’”, deklaroi deputeti Arben Ristani.

Por socialistët thonë se komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi i ka përmbushur detyrimet e Kuvendit. Për më tepër, socialistët u kujtojnë demokratëve precedentin e afërt të ndryshimit të Kushtetutës për dekriminalizimin.

“Pra, nuk do të thotë kur jemi në konsensus mund ta bëjmë kështu, kur nuk jemi nuk mund ta bëjmë. Rregullorja është një. Për dekriminalizimin këta, meqenëse ishim bashkë nuk kishte problem nëse shkelnim Kushtetutën, tani që s’jemi bashkë shkelet Kushtetuta. Neve na ka gjetur belaja, me ujë të ngrohtë keq, me ujë të ftohtë keq”, tha Fatmir Xhafaj nga PS.

Po Ilir Meta? Nuk ka njoftim zyrtar të Kuvendit, por opozita e përshkroi si neutral. “Ndënji neutral, kishte idenë që çështja me logjikë duhej futur shpejt dhe ne duam ta fusim shpejtë, por rregullores nuk kemi ç’i bëjmë”, vijoi Ristani.

Debatet për procedurën parlamentare po ndodhin paralel me negociatat e vështira për arritjen e konsensusit për përmbajtjen e projektit kushtetues për reformën në drejtësi. Dhe Fatmir Xhafaj nuk i ka humbur shpresat.

“Prandaj po punojnë dy palët, që të bindim njëri-tjetrin që të gjejmë rrugën më të mirë. Të jeni të bindur se dalëngadalë do ta gjejmë konsensusin, do të shkojmë në rrugën e Zotit”, tha më tej Xhafaj.

Top Channel