Europë, rrjete kriminale shfrytëzojnë fëmijët si skllevër

22/06/2016 00:00

Policia holandeze ka deklaruar se rreth 300 fëmijë po shfrytëzohen në mbarë Europën nga banda të ndryshme që i detyrojnë ata të vjedhin deri në 1 mijë euro në ditë.

Deklarata ka ardhur pasi 4 rrjete kriminale operative u zbuluan në Holandë, Spanjë, Austri, Kroaci dhe Bosnje.

Sipas autoriteteve policore holandeze, 6 fëmijë të zhdukur në Holandë u gjetën në kushte të tmerrshme në Spanjë javën e kaluar, kur dhe u arrestua një çift rreth të 40-ave që i kontrollonte. Prokurorët që hetuan rastin deklarojnë se bëhet fjalë për një skllavëri moderne.

Operacioni nisi rreth një vit më parë, kur hetuesit e Komisariatit Qendror të Amstërdamit konstatuan se një grup fëmijësh përdoreshin vazhdimisht si hajdutë xhepash nën mbikëqyrjen e të rriturve.

Fëmijët merreshin nga shkolla nga të rriturit për të vjedhur dhe hetuesit dyshojnë se vajza minorene abuzoheshin seksualisht dhe në disa raste mbeteshin shtatëzëna.

Kur agjentët e policisë spanjolle arrestuan çiftin nga Europa lindore në një apartament në Barcelonë më 15 qershor, ata gjetën një fëmijë të sapolindur dhe 5 të tjerë nën moshën 15-vjeçare.

Dy të rriturit dyshohet të jenë pjesë e një rrjeti të gjerë dhe se rasti i tyre është sipas autoriteteve maja e ajsbergut.

Top Channel