Komisioni i reformës, Xhafaj: Kaluam nenet për Gjykatën Kushtetuese

22/06/2016 00:00

Në përfundim të mbledhjes së komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, kryetari Fatmir Xhafaj ka deklaruar se në të u shqyrtua nen për nen projektligji për Gjykatën Kushtetuese.

“Mundëm që t’i kalojmë gjatë këtij diskutimi të zgjatur të gjitha nenet dhe mbeten 3-4 nene të hapura për t’i dhënë mundësi ekspertëve të reflektojnë mbi përmbajtjen e tyre, bazuar edhe në çështjet që trajtuan kolegët deputetë. Besoj që ditën e premte do t’i rishohim edhe këto nene për ta përmbyllur të gjithë diskutimin për projektligjin për Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Xhafaj.

Deputeti socialist ka sqaruar për mediat se, bëhet fjalë për nene që kanë të bëjnë kryesisht me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Për shembull, sot ka një diskutim të madh nëse bashkë me shpalljen e dispozitivit, a duhet të  shpallet vendimi i arsyetuar apo jo? Ose nenet që kanë të bëjnë me këshilltarët, sesi do të jetë statusi i këshilltarëve ligjorë dhe sesi ata do të jenë në funksion të efikasitetit të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe një sërë dispozitash të tjera të kësaj natyre”, ka thënë Xhafaj.

Top Channel