Pak ditë më parë, në Teatrin Kombëtar u zhvillua leximi i dramës “Aty ku dielli nuk perëndon”, me autor Saimir Gongo. Një mënyrë kjo më shumë për të nxitur rëndësinë e të shkruarit të teatrit shqip. Megjithëse drama shqiptare vazhdon të ketë nje problem historik.

“Kjo është mbështetja e parë në dijeninë time që bëhet nga Ministria për të shkruar një tekst të ri dramatik. Situata e dramaturgut në thelb është dëshpëruese dhe kjo bën që shumë pak veta të tentojnë. Është një problem i mbajtur prej shumë vitesh dhe unë besoj se fillon që tek Akademia, te shkolla e teatrit shqiptar”, thotë Saimir Gongo, dramaturg.

Sipas Gongos, nëse ka një mënyrë përmirësimi për këtë, nuk është vetëm rritja e ndërgjegjësimit të të shkruarit shqip, por sidomos investimi te dramaturgët, që ata të funksionojnë njësoj si strukturat e tjera të teatrit.

“Ky është problemi që ka teatri shqiptar, nuk e ka të institucionalizuar dramaturgun si pjesë të vetën”, shprehet më tej Saimir Gongo.

Publiku shqiptar e pëlqen një pjesë, që është konceptuar që në fillim për të folur për të.

“Unë pata një pjesë të suksesshme përpara një viti. Erion Kame ka pasur dy pjesë të tjera të suksesshme më parë, por përpara këtyre ka pasur edhe shumë pjesë të tjera të suksesshme shqiptare”, tha dramaturgu Gongo.

Teatri Kombëtar uli perden për këtë sezon me autorë mit, si Shakespeare apo Chekhov, por me një numër shumë të kufizuar autorësh shqiptarë. Jo për shkak të një skene të vetme, por për shkak se drama shqipe nuk ka gjetur ende një zgjidhje institucionale.

Top Channel