Stadiumi i ri kombëtar, Rama: Projekti përkon me suksesin e kombëtares

22/06/2016 00:00

70% e punës për shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” ka përfunduar dhe brenda javës do të mbyllet ky proces. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndoqën nga afër punën që po kryhet, për t’i hapur rruge stadiumit te ri “Arena Kombëtare”.

“Unë jam shumë krenar që ky projekt vjen vërtet në një kohë që përkon me shembullin e jashtëzakonshëm që kombëtarja u dha të gjithëve, se çfarë është në fakt, për një popull, për një shoqëri, për një vend si i yni, sporti dhe suksesi në sport”, tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky projekt do t’i vijë në ndihmë qytetarëve me shërbime publike.

“Në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore”, u shpreh Veliaj.

Kurse ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro garantoi se fasada e vjetër e stadiumit e konsideruar monument kulture do të ruhet.

“Në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është”, tha ministrja Kumbaro.

Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorë. Punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh.

Top Channel