Kopshti i dhunës, ndjekje penale edhe për dy edukatoret

22/06/2016 00:00

Pas skandalit në kopshtin “Diren” mbi dhunën e ushtruar ndaj një fëmije 3-vjeçar dhe arrestimit të administratores Anjeza Shabani, penalisht do të ndiqen edhe 2 edukatoret e tjera të këtij institucioni.

Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të tyre me akuzën e moskallzimit të krimit. 2 edukatoret mësohet se do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë mbi skandalin në kopshtin privat në zonën e Saukut në kryeqytet.

Nga marrja në pyetje e tyre, specialistët e policisë dyshojnë se 2 edukatoret kanë qenë në dijeni të dhunës sistematike fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj fëmijës së mitur 3-vjeçar.

Ndërkohë, dy prindërit e fëmijës së dhunuar kanë qenë në Prokurorinë e Përgjithshme ku mësohet se kanë marrë kontakt me zyrtarë të organit qendror të akuzës.

Sa i takon administratores Anjeza Shabani, e vënë në pranga me akuzat e keqtrajtimit të të miturve dhe shpërdorimit të detyrës, ajo pritet të dalë ditën e enjte përpara Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë.

Top Channel