Rimbursimi automatik i TVSH-së, Qeveria: Edhe për ata me 50% eksporte

22/06/2016 00:00

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili zgjeron rimbursimin automatik të TVSH-së për bizneset eksportuese. Masa u bë publike nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“Nëse deri dje rimbursimin automatik e përfitonin vetëm bizneset që punojnë 100% për eksport, me këtë vendim, rimbursimi automatik shtrihet për të gjitha bizneset të cilat kanë deri në 50% të xhiros në eksport”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas ministrit të Financave, nga ky lehtësim përfitojnë një numër i lartë i bizneseve eksportuese: “Nëse deri dje rimbursimin automatik e përfitonin vetëm 12.8% e eksportuesve, sot me këtë vendim atë do ta përfitojnë 40% e totalit të eksportuesve. Pra, nga 300 ndërmarrje, në mbi 1 mijë e 50 ndërmarrje”.

Kreu i financave tha se paralelisht ministria që ai drejton do të dërgojë për miratim në qeveri paketën e re të procedurave: “Në mëse dy muaj kemi pranuar mbi 400 sugjerime nga biznesi, të cilat prekin 50 procedura dhe shumë shpejt paketa do të miratohet në qeveri”.
 
Drafti i ri i procedurave zbut masat ndëshkuese për disa shkelje tatimore, i jep mundësi biznesit të vetëkorrigjohet pa ndëshkim dhe heq kontrollet surprizë.

Top Channel