Idhulli i shqiptarëve në Euro 2016

22/06/2016 00:00

Armando Sadiku është kthyer në idhullin e shumë të rinjve, por për dy femra ai ka qenë gjithmonë idhull, edhe kur nuk kishte shënuar golin kundër Rumanisë. Ato janë Mira dhe Ana, nëna dhe motra e Sadikut.

“Ai është një fëmijë i rrallë, ta them si nënë, ai lindi me këmishë”, shprehet nëna e Armando Sadikut.

Përveç, vëllait të vogël, e gjithë familja zgjodhi që Armandon të mos e ndjekë nga stadiumi dhe kjo e ka një arsye të fortë.

“Nuk i përballoj dot emocionet dhe nga kjo anë jam pak e dobët. Ngaqë nuk shkoja unë vendosi që edhe bashkëshorti të mos shkonte”, shprehet Mira Sadiku.

Shkëlqimi i Sadikut si futbollist, nuk është i rastësishëm. Ai është djali i një ish-futbollisti, sot trajner i të rinjve në Fushëmbret të Elbasanit. Ndërsa nëna me origjine kosovare vjen nga fisi i Xhakajve nga kanë dalë edhe dy shqiptarët e famshëm, Graniti e Taulanti. Tradita nuk ndalet këtu sepse vëllai i vogël, 17 vjeçari Sheri Sadiku, premton shumë.

Shtëpia e Armando Sadikut është e mbushur me kupa dhe flamuj kuqezi, por ai veçanërisht është idhulli i së motrës.

“Kam mbetur pa fjalë. Ka marrë urime të shumta pas golit të shënuar nga vëllai. Ndjehesha sikur atë gol ta kisha shënuar unë. Ishte shumë bukur”, shprehet motra e Sadikut, Ana.

Qindra njerëz vijnë çdo ditë në shtëpinë e Armando Sadikut, ndërkohë që familjen e tij e urojnë edhe kalimtarët e rastit.

Ndërsa fëmijët, pak më të ndrojtur, kanë gjetur një mënyrë origjinale për të komunikuar me heroin e tyre, jo më Messi apo Ronaldo, por Armando Sadikun. Ata fusin letra poshtë derës së shtëpisë me shpresën se Mandi do t’i lexojë ndërsa luajnë çdo ditë në fushën ku Armando u stërvit që i vogël.

Top Channel