Anija shqiptare merret peng nga egjiptiani, kërkon 70 mijë euro

22/06/2016 00:00

Marinari egjiptian ka marre përsipër pengmarrjen e peshkarexhës Çelepia dy e cila ka humbur kontaktet prej dy ditësh me portin e Durrësit. Prokuroria e Krimeve të Renda dhe Policia e Durrësit po hetojnë mbi këtë pengmarrje.

Marinari egjiptian i ekuipazhit te saj që ka kryer edhe pengmarrjen e peshkarexhës kërkon 70 mijë euro në këmbim për të liruar anijen dhe dy marinarët e saj shqiptarë.

Policia beri të ditur se paraditen e së mërkurës, 30-vjeçari egjiptian Adel Mohamed Salam, marinar në anijen e peshkimit “Çelepia 2” i ka telefonuar një bashkëkombasi të tij, i cili punon në Portin e Durrësit duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të portit të Aleksandrisë në Egjipt. Ai kërkon 70 mijë euro, në të kundërt ai kërcënon se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Peshkarexha “Çelepia 2” ne bordin e se cilës ndodhen Motorrist Luan Mema, Kapiten Dhimitër Malja dhe Marinari egjiptian Muhamet Salam, ka humbur kontaktet me kapitanerinë vetëm pak orë pasi kishin lënë kalatën e portit të Durrësit për të dal për peshkim.

“Fliste sa doli nga porti që të merrte drejtimin 23 për 24 dhe çfarë drejtimi ka marrë më pas nuk kemi komunikuar”- shprehet dispeceri Bujar Bala.

Ka qenë vetë pronari i peshkarexhës Murat Çelepia ai i cili ka njoftuar kapitenerinë dhe policinë se kishte humbur çdo kontakt me ekuipazhin.

Menjëherë në lëvizje janë vënë Policia Kufitare dhe Forca Detare e Forcave të Armatosura, të cilat pasi kanë patrulluar vijën bregdetare nga Kepi i Palit në Kepin e Rodonit, nuk kanë gjetur asnjë shenjë te peshkarexhës.

Rreth mesditës, burime nga Policia bënë të ditur se ka dyshime se anija ndodhet pranë Aleksandrisë në Egjipt dhe është rrëmbyer nga marinari egjiptian Muhamet Salam, për shkak të mospagesave të rrogës nga ana e pronarit të anijes.

Por ky i fundit, në deklarimet e dhëna në polici i ka hedhur poshtë këto pretendime. Tashmë pritet për të mësuar mbi fatin e dy marinarëve shqiptarë, pjesë të ekuipazhit, ndërsa pala shqiptare ka nisur kontaktet me homologët egjiptian.

Top Channel