Referendumi britanik, zhvillohet debati më i madh mes palëve pro dhe kundër qëndrimit

22/06/2016 00:00

Përfaqësuesit kryesorë nga të dyja palët me qëndrime të kundërta në referendumin britanik janë përplasur në një debat të drejtpërdrejtë në “Wembley” në prag të ditës së fundit të fushatës.

“Debati i Madh”, siç e cilëson BBC-ja, u zhvilluar në më shumë se dy orë me pyetje-përgjigje mbi emigracionin, ekonominë dhe sovranitetin. Udhëheqësja e konservatorëve skocezë, Ruth Davidson u përplas vazhdimisht me Boris Johnsonin, ish-kryebashkiak i Londrës, përballë një audience prej mijëra ndjekësish, ndërsa akuzoi palën prolargimit nga BE-ja si “gënjeshtare”. Ndërsa Johnson u kundërpërgjigj me faktin se kampi proqëndrimit “po vijon ta rrënojë vendin”.

Votuesit britanikë do t’u drejtohen kutive të votimit ditën e enjte që nga ora 7 e mëngjesit, e me vendimmarrjen e tyre do të përcaktojnë nëse Britania e Madhe do të qëndrojë apo do të largohet nga Bashkimi Europian.

Davidson, e cila lexoi edhe deklaratën përfundimtare të kampit proqëndrimit, tha para audiencës së “Wembley”-t se ata duhej të ishin 100 për qind të siguritë dhe se nuk duhet të ketë asnjë “prapakthehu” mëngjesin e së premtes. Kampi i saj “refuzon të hedhë poshtë ekspertët”, të cilët në unison bien dakord se “Britania është më mirë brenda BE-së”, argumentoi ajo.

Ish-kreu i Bashkisë së Londrës pati edhe një “standing ovation” nga mbështetësit e tij pas leximit të deklaratës përfundimtare të kampit prolargimit, në të cilën u tha se “e enjtja mund të jetë dita e pavarësisë së vendit tonë”, nëse Britania vendos të largohet nga BE-ja. Sipas tij, një votë pro largimit do t’i lejonte vendit ishullor “të niste një proces shkëputjeje nga barra e rëndë e sistemit antidemokratik qeverisës”.

“Pozicioni ideal për ne është të rimarrim kontrollin nga dita e nesërme, të sasisë së jashtëzakonshme të parave tona, në mënyrë që të mund t’i shpenzojmë ato në prioritetet tona. Të marrim kontrollin e sistemit tonë të emigracionit, por edhe të marrim kontrollin nga rrënjët të demokracisë sonë”, tha Johnson.

Debati, më i madhi gjatë fushatës së referendumit mbi BE-në, përfaqëson mundësinë e fundit për të dy kampet për të bërë të ditura argumentet e tyre përpara votimeve të së enjtes.

Gjithashtu, gjatë debatit ka pasur shkëmbime të nxehta mes Johnsonit dhe pasuesit të tij, kryebashkiakut Sadiq Khan, i cili mbështet qëndrimin në BE dhe akuzon kampin kundërshtar se “po lançon projekte urrejtjeje”.

Audienca e pranishme, e ndarë gjithashtu në dy kampe, duartrokiste sa herë që përfaqësuesit e tyre godisnin në shenjë mbi tematika si anëtarësimi i Turqisë në BE, marrëveshjet tregtare dhe pushteti i gjykatave të BE-së.

Top Channel