Paris, ndalohet nga policia marshimi i sindikatave të punësimit

22/06/2016 00:00

Policia e Parisit ka ndaluar organizimin e një proteste nga sindikatat e lidhura me çështjet e punësimit, e për këtë kanë nxjerrë si justifikim pamundësinë për të siguruar sigurinë e të gjithëve, duke qenë se në demonstratën e fundit një spital fëmijësh u shkatërrua dhe dhjetëra persona mbetën të plagosur.

Vendimi i kësaj të mërkure shkaktoi reagimin e menjëhershëm të politikanëve të majtë dhe sindikatave, të cilët e dënuan ashpër atë. Marshimi i së enjtes pritej të shtrihej anembanë Francës dhe do të shënohej me një ditë grevë, për të shprehur irritimin e tyre ndaj ligjit të punësimit, që e bën më të lehtë shkarkimin e punonjësve nga puna, si dhe dobëson fuqitë e sindikatave.

Ligji ka shkaktuar protesta masive prej muajsh, por disa prej tyre kanë degjeneruar deri në akte dhune nga grupe të vogla demonstruesish ekstremistë.

Autoritetet e Parisit u kanë kërkuar organizatorëve të zhvillojnë një miting në një vend të caktuar, më mirë sesa të marshojnë nëpër rrugët e Parisit. Por sindikata “CGT” refuzoi këtë propozim, ndaj dhe policia pariziene bëri të ditur përmes një deklarate se “tashmë nuk mbetet zgjedhje tjetër, veçse ta harrojnë mbajtjen e një proteste në formë marshimi”.

Top Channel