Tiranë, një memorial kujtese për viktimat e komunizmit

22/06/2016 10:05

Në një nga qendrat e reja të Tiranës parashikuar në planin e ri rregullues do të ngrihet memoriali kombëtar për të gjithë viktimat e ish-regjimit komunist. Ngritja e këtij memoriali mbështetet si nga pushteti qendror, ashtu dhe nga ai lokal.

“Ky memorial ka një rëndësi të veçantë, pasi përveçse do të vendosë në vend të drejtat e mohuara në respekt të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri do të përcjellë në brezat pasardhës mesazhin e shenjtë që historia dhe kombi ynë ka mbi kujtesë. Një pikë tjetër e rëndësishme është dhe synimi i procesit të hapjes së dosjeve dhe fillimi i programit për gjetjen e të zhdukurve të diktaturës”, tha Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se do të bashkëfinancojë projektin e ngritjes së memorialit.

“Ne jemi borxhlinj ndaj viktimave dhe ndaj trashëgimtarëve të tyre, që të mësojnë dhe të njohin vuajtjet e secilit prej tyre dhe të të afërmve. Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar edhe shumë vende të tjera që zgjodhën qasjen tjetër, përfshirë edhe Shqipërinë deri më sot, sjell një kosto të lartë për të gjithë shoqërinë. Ndaj unë sot, si kryetar i Bashkisë së Tiranës e mirëpres dhe do ta bashkëfinancoj një projekt të tillë për qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Ish-të përndjekurit politikë që jetojnë janë duke marrë këstin e 6 të dëmshpërblimit, ndërkohë që së shpejti kalon në Parlament ligji që u jep mundësi të përfitojnë ata ish-të dënuar, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara më parë.

Top Channel