Mposht 2-0 Çekinë, Turqia shpreson. Shqipëria, me sytë nga Hungaria

21/06/2016 00:00

Ekipi më i dobët i Europianit e kishin quajtur deri më sot, për shkak të performancave tepër të dobëta të Kroacisë dhe Spanjës, por mjaftuan 90 minutat ndaj Çekisë, që Turqia t’u jepte një goditje shpresave të kuqezinjve tanë për të ëndërruar një kualifikim në fazën me eliminim direkt të Europianit.

Burak Yilmaz, që në minutën e 10, si dhe Ozan Tufan në minutën e 65-të të pjesës së dytë, ishin autorët e golave shpresëdhënës për turqit dhe atyre që lënë Shqipërinë të shpresojë tashmë vetëm te një mrekulli i Hungarisë ndaj Portugalisë.

Të besuarit e Fatih Terim zhvilluan një ndeshje të paparashikueshme, edhe pse vinin si inferiorë përpara sfidës me Çekinë, e cila nga ana e saj kishte humbur minimalisht 1-0 me Spanjën dhe kishte barazuar në mënyrë spektakolare 2-2 ndaj Kroacisë, me ballkanasit në avantazh të dy golave.

Megjithatë, turqit ditën të ishin më “vrastarë” dhe këtë e bënë që në minutat e para, e më pas i gjithë takimi fliste për çekët, që zotëronin topin dhe krijonin raste. Sidomos në pjesën e dytë të takimit, kur tronditën edhe shtyllën, por ishte pikërisht hedhja në sulm e tyre në kërkim të një goli, ai që la hapësira mbrapa dhe me një kundërsulm turqit arritën të ndëshkonin për herë të dytë.

Tashmë kuqezinjve të De Biasit u mbetet që, përveç ndonjë “harakiri” të Italisë ndaj Irlandës, të shpresojnë vetëm te mposhtja e portugezëve të Cristiano Ronaldos me Hungarinë në përballjen e fundit të grupit F, pasi e vetmja mundësi që Shqipëria të kualifikohet është nëse dy grupet e fundit E dhe F nuk do të dërgojnë skuadrat e treta në raundin e ardhshëm.

Top Channel