Rama, në Bulqizë për investimet në energjitikë: S’ka më aforfe

21/06/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në Bulqizë, ku inspektoi investimet e OSHEE në këtë rreth për rinovimin dhe ndërtimin e 64 kabinave të reja, zëvendësimin e linjave dhe furnizimin me energji pas 15 vjetësh të disa fshtarave të këtij rrethi.

Gjatë fjalës së tij, Rama i mëshoi mesazhit për të mos toleruar asnjë abuzim me energjinë elektrike, duke mos pranuar apo keqpërdorur matësin elektrik.

“Ne jemi të angazhuar që t’i japim fund aforfesë. Jemi të angazhuar të çojmë matësin në çdo shtëpi dhe biznes që konsumon energji elektrike Por ta kenë të qartë të gjithë ata që kujtojnë se duke thyer matësin do t’i shpëtojnë rregullit të përgjithshëm, se kush thyen matësin nuk ka për të marrë energji elektrike nga 1 korriku dhe kush nuk pranon matësin nuk do të marrë energji elektrike nga 1 korriku”, tha Rama.

“Matësat janë pjesë e investimit të përbashkët. Paguhen me paratë e kontributeve të përbashkëta dhe janë domosdoshmëri, e para për të mos rënduar njerëzit me fatura aforfe dhe secili të paguajë atë që konsumon. E dyta, për t’i dhënë fund dhe për t’i vënë pikë historisë që dikush paguan dhe dikush nuk paguan. Kjo histori për ne i takon së kaluarës. Kush do që të jetojë me të kaluarën do të jetojë në errësirë, nuk do të ketë drita”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri ishte edhe në minierën e Bulqizës, ku kompania që e ka marrë më konçesion po investon 5.8 milionë dollarë për zhvillimin e një projekti ku minerali i nxjerrë do të transportohet nga niveli i pestë i minierës drejt impiantit të seleksionimit të kromit në Klos.

Top Channel