Serbi-Kroaci, hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe

21/06/2016 00:00

Kroacia dhe Serbia hodhën një hap të rëndësishëm për të rivendosur stabilitetin mes tyre. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, kanë nënshkruar një deklaratë prej 6 pikash kyçe, të cilat pritet të sjellin përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

E ndërsa janë ende shumë çështje të pazgjidhura që rëndojnë prej shumë vitesh ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit, në pikën e parë të këtij dokumenti i vihet theksi përshpejtimit të proceseve për mbrojtjen e minoriteteve, si atë serb në Kroaci edhe atë kroat në Serbi.

Në pikën e dytë kërkohet që komisionet shtetërore të nisin negociatat për përcaktimin e vijës kufitare. Më tej, deklarata vijon me faktin që Serbia dhe Kroacia duhet të përshpejtojnë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 29 qershor të vitit 2001, në Vjenë.

Vëmendje i është kushtuar edhe kërkimit dypalësh për personat e zhdukur, një çështje humanitare kjo me shumë rëndësi. Një tjetër kauzë e përbashkët u cilësua lufta kundër terrorizmit dhe kriza e refugjatëve. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Serbia dhe Kroacia u zotuan për të hartuar projekte të përbashkëta për zhvillim në Bashkimin Europian.

Top Channel