Paloka: Drafti në kalendarin e Kuvendit, provokim i rëndë

21/06/2016 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka deklaruar se, kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit “projektin për kapjen politike të gjyqësorit” është një provokim i rëndë.

Sipas Palokës, bëhet fjalë për një provokim “ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë, që nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama”.

“Rruga e vetme për miratimin e reformës në drejtësi, që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, Parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur”, ka deklaruar Paloka.

Ai ka shtuar se, “fundi i kësaj beteje padyshim nuk do të jetë fitorja, por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës”.

Top Channel