Durrës, gjendet një trup i pajetë në breg të detit

21/06/2016 00:00

Një person është gjetur i mbytur pasditen e kësaj të marte në bregdetin e Durrësit, në drejtim me vendin e njohur si Pista e Vogël.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se kalimtarë të rastit kanë konstatuar trupin e pajetë rreth orës 17:15 dhe kanë njoftuar policinë.

Uniformat blu pak minuta më vonë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë ekzaminimin e trupit.

Kështu, nga kontrollet ka rezultuar se kufoma është e seksit femër, rreth të 40-ave, e gjatë rreth 1.60 m, flokë të zezë të gjatë dhe me tipare ezmere.

Gjithashtu, vijojnë burimet, viktima mban të veshur pantallona xhins ngjyrë blu të errët, bluzë të kuqe me mëngë të shkurtra, ndërsa në dorën e majtë ka një orë me zinxhir metalik dhe në gishtin e parafundit një unazë me gur rozë.

Një grup hetimor është ngritur për identifikimin e saj dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që drejtoria lokale e policisë ka ftuar personat që mund ta identifikojnë që të telefonojnë në numrin 129, pa pagesë.

Top Channel